Pas kryeministrit, infektohet me koronavirus edhe një ministër rus

  • 02 May 2020 - 09:41
 Pas kryeministrit, infektohet me koronavirus edhe një ministër rus

Ministri rus i ndërtimtarisë, Vladimir Yakushev, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, pasi me të u diagnostikua edhe kryeministri i Federatës Ruse, Mikhail Mishustin.

Ministri Yakushev tha të premten se është hospitalizuar në Moskë dhe se është duke marrë trajtim nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Njëri nga zëdhënsit e tij, Dmitry Volkov, gjithashtu është diagnostikuar me Covid-19, raportoi agjencia TASS.

Lajmi për infektimin e këtyre dy zyrtarëve të lartë erdhi vetëm një ditë pasi kryeministri Mishustin tha se do të futet në vetizolim pas rezultatit pozitiv për koronavirus.

Detyrën e kryeministrit përkohësisht do ta ushtrojë zëvendëskryeministri i parë, Andrei Belousov, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Më 1 maj, Rusia i raportoi 7,933 raste të infektimeve për 24 orë, që ishte rekord i ri për periudhën njëditore. Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 114,431.

Disa dyshojnë se shifrat zyrtare nuk janë të sakta, duke iu referuar numrit të rasteve të pneumonisë, e cila shpesh shkaktohet nga koronavirusi, duke dyshuar se numri i vërtetë i të prekurve me Covid-19 është më i lartë.

(Kosova Sot Online)