Hashim Thaçi: S’do ketë kurrë amnisti për krimet e Serbisë, s’ka pajtim pa drejtësi

  • 02 May 2020 - 20:13
Hashim Thaçi: S’do ketë kurrë amnisti për krimet e Serbisë, s’ka pajtim pa drejtësi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar sot masakrën e kryer nga forcat serbe në Studime të Vushtrrisë, ku u vranë rreth 116 civilë të pafajshëm.

Thaçi, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se heshtja e ndërkombëtarëve, 21 vjet pas luftës për krimet e kryera nga Serbia është amnisti e tyre për këto vepra.

“Sot, përkujtojmë 116 civilët, viktima të masakrës së Studimes së Vushtrrisë, masakër e kryer nga Serbia. Për këtë krim, ashtu si për 400 masakrat tjera, 10 mijë të vrarët, 20 mijë gratë e dhunuara, dhe 1 milion të zhvendosurit, askush është vënë përgjegjës nga drejtësia ndërkombëtare. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar, pas 21 viteve është amnisti për këto krime. Ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi, dhe amnistia nuk do të jetë opsion. S’mund të ketë paqe dhe pajtim pa drejtësi”, ka shkruar Thaçi.

(Kosova Sot Online)