Konfirmohen pesë rastet e reja me Covid-19 në Mitrovicën e Jugut, familjarë të pacientes së parë

  • 02 May 2020 - 22:34
Konfirmohen pesë rastet e reja me Covid-19 në Mitrovicën e Jugut, familjarë të pacientes së parë

Në Mitrovicën e Jugut sot dolën pozitivë me koronavirus pesë persona.

Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë.

Kryetari Agim Bahtiri ka thënë se të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vetizolim dhe se pas 14 ditësh do të testohen prapë.

“Sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuaren të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitivë me koronavirusin Covid-19”, ka shkruar Bahtiri.

Bahtiri ka bërë thirrje te qytetarët që të jenë të kujdesshëm edhe më shumë pas heqjes së karantinës në veri të Ibrit.

“I lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19. Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.

Bahtiri po ashtu ka paralajmëruar se në Mitrovicën e Veriut nesër hiqet masa e karantinës.

“Duke pasur parasysh se nga nesër komunës veriore të Mitrovicës do t’i heqet masa e karantinës, atëherë i lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19”.

(Kosova Sot Online)