Pompeo thotë se ka dëshmi të shumta se koronavirusi erdhi nga laboratori i Wuhanit

  • 03 May 2020 - 19:40
Pompeo thotë se ka dëshmi të shumta se koronavirusi erdhi nga laboratori i Wuhanit

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo ka thënë të dielën se ka dëshmi të shumta se pandemia e koronavirusit e ka origjinën në një laborator në Wuhan të Kinës.

“Ka dëshmi të mëdha se aty ka nisur kjo”, ka deklaruar Pompeo për emisonin “This Week” të rrjetit ABC.

Por, ndonëse shumë kritik për mënyrën se si menaxhoi Kina këtë çështje, Pompeo ka refuzuar të thotë nëse mendon se virusi është liruar qëllimisht,.

Presidenti i SHBA’së, Donald Trump ka qenë shumë kritik ndaj rolit të Kinës në pandemi, që ka infektuar afro 3.5 milionë persona në mbarë botën dhe ka marrë mbi 240 mijë jetë.

Ai ka insistuar se Pekini në mënyrë të pamatur ka fshehur informacione të rëndësishme për shpërthimin dhe ka kërkuar që Pekini të japë llogari.

Në mediume është raportuar se Trump ka ngarkuar spiunët amerikanë që të zbulojnë më tepër për origjinën e virusit, që fillimisht ishte thënë se e ka në një treg në Ëuhan që shet kafshë ekzotike si lakuriqë, por tash mendohet se është e mundur që e ka nga një laborator në Ëuhan që merret me hulumtim të viruseve.

Pompeo, ish-drejtor i CIA’s, ka shkuar më larg se Trump, duke cituar se ka dëshmi të shumta se virusi e ka origjinën nga laboratori në Wuhan.

“Mendoj se e gjithë bota mund të shohë tash, të mbaj në mend, se Kina ka një histori të infektimit të botës dhe drejtimit të laboratorëve përfundi standardeve të lejuara”, ka thënë Pompeo.

Ai ka thënë se tentimet e hershme kineze për të ulur rëndësinë e koronavirusit, ngjasojnë me “një tentim klasik të dezinformimit komunist, që ka krijuar rreziqe të mëdha”. “Presidenti Trump është shumë i qartë: do të japin llogari ata që janë përgjegjës”, ka thënë Pompeo.

(Kosova Sot Online)