Gashi: Bislimi ndoshta e ka pasur fjalën për uljen e papunësisë brenda anëtarësisë së VV’së

  • 07 May 2020 - 19:34
 Gashi: Bislimi ndoshta e ka pasur fjalën për uljen e papunësisë brenda anëtarësisë së VV’së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, e ka quajtur qesharake dhe skandaloze deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi, se është ulur papunësia në kohën e pandemisë.

“Ministri i shkarkuar i Financave Besnik Bislimi, duke injoruar statistikat zyrtare të institucioneve përkatëse, deklaroi se ulja e papunësisë në Kosovë ka shënuar rënie për 6.6%. Kjo deklaratë e bërë me kuturi në një kohë kur shumë shtete bëjnë plane se si ta kalojnë më lehtë krizën ekonomike, në kohë pandemie e në luftë me Covid-19, është qesharake dhe skandaloze. Sigurisht, që statistikat i ka marrë nga subjekti i tij politik”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se për ta vërtetuar atë deklaratë, duhet t’i referohemi raporteve të brendshme të VV-së për punësimet e militantëve të tyre partiakë. “Politizimi i Bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme, punësimet jashtëligjore me kriter nepotizmin në Komunën e Prizrenit dhe nëpër ministritë të udhëhequr nga kolegët e ministrit Bislimi, janë vetëm disa nga statistikat që ministri në fjalë i ka marrë për bazë kur ka deklaruar për uljen e papunësisë. Ndoshta, deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti meqë fjalën e ka pasur për uljen e papunësisë brenda anëtarësisë së VV-së”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, “çështja e punësimit, përkatësisht ulja e papunësisë në Kosovë kërkon strategji, masa konkretet dhe vizion të qartë, e jo mendësi e shprehi të prapambetur konservative, siç e ka kjo qeveri dhe ky ministër sharlatan e mashtrues, i cili papunësinë e lufton me deklaratë të turpshme, jashtëligjore dhe të pabazë”.

(Kosova Sot Online)