Lajcak e forcon edhe më shumë qëndrimin kundër shkëmbimit të territoreve

  • 11 May 2020 - 18:18
 Lajcak e forcon edhe më shumë qëndrimin kundër shkëmbimit të territoreve

Miroslav Lajcak, i angazhuar speical nga Bashkimi Evropian, për dialogun Kosovë – Serbi, thotë se korrigjimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë nuk jep rezultat stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Pas një interviste për agjencinë e lajmeve APA, i emëruar special i BE’së ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë të dialogut. Të njëjtën e ka thënë edhe në profilin e tij në Twitter.

“Javën e kaluar kam folur për APA për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të jetë në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe t’i kontribuojë stabilitetit në rajon. Ideja e korrigjimit të kufijve e bën të kundërtën”, ka shkruar Lajcak.

Lajcak ka thënë për APA se nuk është në agjendë shkëmbim i territoreve mes dy vendeve.

“Kemi parë një reagim shumë të fuqishëm negativ ndaj idesë për shkëmbimin e territoreve – në Kosovë, në vendet e tjera në rajon dhe në vendet e BE-së. Kjo më dërgon te përfundimi se ajo nuk është në agjendë dhe as nuk duhet të jetë në agjendë”, theksoi Lajçak. Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, nuk e kishte përjashtuar plotësisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve më herët gjatë kësaj jave. Ai tha për mediet kosovare se marrëveshja dhe përmbajtja e saj janë përgjegjësi e dy vendeve dhe se BE-ja nuk mund të përcaktojë asgjë. Borrell ka theksuar se BE-ja është duke e synuar një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme, tha Lajçak.

(Kosova Sot Online)