Drejtori i Policisë për tubimin e VV’së dje në shesh: S’kanë kërkuar leje, e as s’e kanë lajmëruar

  • 13 May 2020 - 16:09
 Drejtori i Policisë për tubimin e VV’së dje në shesh: S’kanë kërkuar leje, e as s’e kanë lajmëruar

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, pasditen e së martës kanë dalë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të bërë prova për protesta. Për këtë, ata nuk kanë kërkuar leje në Policinë e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Express Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Nuk kanë pasur leje, nuk ka qenë e lajmëruar”, ka thënë Qalaj.

Lajmërimin për protestën e kanë bërë të ditur vetë vetë aktivistët e VV’së në grupin ”meKryeministrin” në Facebook,  grup ky i cili përkrah kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ka mbi 310 mijë përdorues.

Ata të martën i kanë publikuar foto dhe video nga sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet, ku kanë shkruar se po bëjnë prova për protesta.

Protestat e përkrahësve VV’së janë paralajmëruar pas mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër, ndërkaq partia e Kurtit po pret që Gjykata Kushtetuese të dalë me një me një vendim rreth çështjes së mandatarit.

Ndërkohë, sot është bërë kërkesë që Prokuroria e Shtetit t’i hetojë nismat për protesta që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve në kohën e pandemisë.

(Kosova Sot Online)