Kufiri SHBA – Kanada mund të qëndrojë i mbyllur deri në fund të qershorit

  • 13 May 2020 - 23:25
 Kufiri SHBA – Kanada mund të qëndrojë i mbyllur deri në fund të qershorit

Kufiri midis Kanadasë dhe SHBA-së mund të mbetet i mbyllur deri në fund të qershorit.

Dy shtetet në mars u dakorduan që të mbyllin kufirin për udhëtimet jothelbësore kur pandemia e koronavirusit të ri goditi Amerikën e Veriut.

Në prill, ata zgjatën masat deri në maj për të frenuar më tej përhapjen e virusit.

Mediat lokale në Kanada njoftojnë se administrata e kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe presidentit amerikan Donald Trump po komunikojnë për të vazhduar kufizimet deri më 21 qershor.

“Ne do të jemi shumë, shumë të kujdesshëm në lidhje me rihapjen e çdo udhëtimi ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, përpara se të ndiejmë se është koha”, tha Trudeau para përfaqësuesve të mediave.

Nga ana e tij, Trump në prill tha se kufiri do të ishte një nga më të hershmit që do të rihapeshin pasi efekti i përhapjes së COVID-19 të jetë minimal.

(Kosova Sot Online)