Studimi nga qeveria britanike: Ajri i pastër dhe rrezet e diellit e kufizojnë transmetimin e Covid-19

  • 14 May 2020 - 23:16
Studimi nga qeveria britanike: Ajri i pastër dhe rrezet e diellit e kufizojnë transmetimin e Covid-19

Kalimi i kohës në ajër të pastër dhe diell mund të zvogëlojë rrezikun për transmetimin e koronavirusit, ka bërë me dije një këshilltar shkencor i qeverisë britanike.

Tani njerëzve u lejohet të kalojnë sa më shumë kohë jashtë – për sa kohë që ata mbajnë distancën shoqërore prej të tjerëve, shkruajnë mediet britanike.

Profesori Alan Penn, anëtar i SAGE, Grupi Këshillues Shkencor për Emergjencat e Qeverisë, siguroi se ata që kalojnë kohë nëpër parqe e kanë më të ulët rrezikun që të infektohen nga virusi.

“Shkenca sugjeron që rrezet e diellit, dhe ekspozimi ndaj ajrit të pastër janë forma mbrojtëse ndaj transmetimit të virusit”, u shpreh Dr. Penn.

Viruset mund të jenë më pak të afta të mbijetojnë në sipërfaqe nga rrezet e diellit, pasi rrezet ultra-vjollcë dëmtojnë materialin e tyre gjenetik, sipas shkencëtarëve.

Profesori Penn, këshilltari kryesor shkencor në Ministrinë e Strehimit, Komuniteteve dhe Pushtetit Lokal në Britaninë e Madhe, ka marrë pjesë në katër takime kryesore SAGE me ministrat.

Ai foli para deputetëve të mërkurën për të shpjeguar pse aktivitetet e njerëzve në natyrë nuk duhet të kufizohen më. 

(Kosova Sot Online)