Kurti: Presidenti ta lëshojë ulësen e tij, të vijë në fushatë zgjedhore

  • 15 May 2020 - 18:41
 Kurti: Presidenti ta lëshojë ulësen e tij, të vijë në fushatë zgjedhore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti Hashim Thaçi duhet të jep dorëheqje dhe të dalë në fushatë zgjedhore, pasi që sipas tij, është i frustruar.

Ai tha se Thaçi nuk është i kënaqur më postin që ka, prandaj po kërkon më shumë pushtet.

“Presidenti nuk është i kënaqur me ulësen e tij dhe bën mirë ta lëshojë dhe të vijë në fushatë zgjedhore dhe të shikojë për vizionin që do ta japë dhe votat që do marrë. Ai qartazi dëshiron të jetë më shumë se president dhe për ta bërë këtë i duhet një kryeministër më pak se kryeministër, këtë s’mund ta gjejë të unë”.

“Ne kemi një president të frustruar që po bëhet gati për fushata zgjedhore. Më së miri dhe së drejti dhe më sinqertë s’mund të jetë se të dorëhiqet dhe të vijë në fushatë, pasi ashtu po sillet, ashtu po flet”.

“Institucionet nuk janë të bllokuara, por kemi një karrige të bllokuar. Këto probleme s’mund t’i zgjidh unë e as s’është interes i imi”.

Kurti tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të del kundër vetes për dekretin e presidentit, pasi që sipas tij, janë aktgjykimet e mëhershme.

“Gjykata Kushtetuese i ka aktgjykimet e mëhershme dhe kemi përvojën tonë praktikë, rasti aktual  s’ndryshon nga ai i vitit 2014 dhe 2017. S’besoj që Kushtetuesja vjen në kundërshtim me veten, e as s’besoj që dekretet e presidentit të jenë autorë të shkrimit të Kushtetutës. Thaçi duhet ta respektojë dhe jo ta shkruajë atë”.

(Kosova Sot Online)