Kurti i përgjigjet reagimit të Gjykatës Kushtetuese e hedh topin te Presidenti Thaçi

  • 20 May 2020 - 14:54
Kurti i përgjigjet reagimit të Gjykatës Kushtetuese e hedh topin te Presidenti Thaçi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer duarthatë nga Amerika, aty ku siç thotë , po bisedohej për marrëveshje me anë të një ujdie me thika mbi hartën e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Ngeli pa marrëveshjen ‘historike’ sepse edhe ndërmjetësit amerikanë edhe presidenti serb e dinin që nuk ka legjitimitet: në Kosovë ishin kurorëzuar ndryshimet e 6 tetorit me qeveri të re të 3 shkurtit”, ka shkruar kryeministri në detyrë në një status në Facebook.

Kurti thotë se Thaci një ditë pas shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore e ka thirrur në telefon, për të biseduar për gjendjen e jashtëzakonshme.

“Të nesërmen e shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore më thirri në telefon. Presidenti më thoshte që don të konsultohet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Ia shpjegova që nuk janë krijuar kushtet për gjendje të jashtëzakonshme në vendin tonë. Situata është nën kontroll. Më 17 mars mbajtëm mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës në kohën kur nuk kishim asnjë të vdekur nga virusi Corona dhe vetëm 19 të infektuar. Edhe aty dështoi që ta fitojë diskutimin për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria dhe mekanizmat shtetërorë po funksiononin të sinkronizuar si rrallë herë më parë. Me një përjashtim prej ministri”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, presidenti iu kishte kërkuar deputetëve të Listës Serbe që të mos votojnë qeverinë Kurti, duke ju premtuar se kur t’i  jepej mandati LDK’së, ata do të merrnin më shumë parti.

Kryeministri në detyrë thotë se Gjykata Kushtetuese është nën trysni nga veprimet e presidentit, ani pse nga ky institucion dje përmes një reagimi kanë kërkuar nga dy liderët e shtetit që të mos vazhdojnë presionin ndaj Gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje. Sepse rasti i tanishëm as formalisht e as materialisht nuk është i ndryshëm prej viteve 2010 dhe 2017: binte qeveria e shkohej në zgjedhje, pra respektohej procedura ashtu si e parasheh shprehimisht Kushtetuta. Në anën tjetër, Presidenti shpalli se 20 ditë është afati që duhet të ketë partia fituese për të çuar emër, pra, nga letra e parë me 2 prill deri te tryeza konsultative me 22 prill. Presidenti në Republikën e Kosovës është politikisht joaktiv. Ai nuk përzgjedh kandidatët e as nuk përcakton afatet, por veçse pranon propozimet. Presidenti simbolik, meqë vuan këtë fakt, don ta kthejë Republikën në simbolike. Me sjelljet e tij ilegale synon ta reduktojë shtetin në institucion paralel ndërsa Kushtetutën në udhëzim të tij administrativ.

Edhe orvatja e katërt do t’i dështojë. Koha nuk kthehet mbrapsht. 6 tetori 2019 ka ndodhur. Që prej atëherë, koha ka ecur përpara. I thjeshtë është problemi të dashur qytetarë: nuk mund ta shpëtojmë edhe Republikën edhe këtë President. E, unë e kam ndarë mendjen. Moti”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)