Një person në Prishtinë arrestohet për fajde

  • 21 May 2020 - 21:17
 Një person në Prishtinë arrestohet për fajde

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin B.A nën dyshimin se është i përfshirë në veprën penale “fajde”.

Siç njoftohet, Policia muaj më parë ka filluar sigurimin e provave materiale dhe dëshmive tjera relevante, duke përdorur edhe masat e fshehta teknike dhe të hetimit është arritur të sigurohen dëshmi se i dyshuari ishte përfshirë në këtë vepër penale.

“Dyshohet se një person kishte marrë nga i dyshuari një shumë prej 55,000.00 €. Ai kishte arritur t’ia kthente 58,000.00 € të dyshuarit, ndërsa i dyshuari në formë të interesit-kamatës ka kërkuar nga viktima edhe 40,000.00 € të tjera që do të thotë se fitimi jo-proporcional është në vlerë prej 43,000.00 euro”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se në kuadër të veprimeve hetimore të kombinuara, sot sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore-Gjilan, janë zbatuar masat e fshehta dhe teknike ‘simulimi i veprës penale’, ku i dyshuari nga viktima ka pranuar edhe 5,000.00 euro.

“I dyshuari, pas pranimit të parave bazuar në simulimin e veprës penale, është ndaluar nga hetuesit policor të NJHRKEK-Gjilan, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar paratë që janë përdorur për simulim të veprës penale (5,000.00 euro)”, thuhet tutje në njoftim.

I dyshuari është arrestuar dhe më pas është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

(Kosova Sot Online)