Vriten tetë të burgosur nga përleshja në një burg të Meksikës

  • 23 May 2020 - 08:51
Vriten tetë të burgosur nga përleshja në një burg të Meksikës

Tetë të burgosur kanë mbetur të vdekur nga një përleshje e dhunshme në një burg në rajonin qendror meksikan, Jalisco, bënë të ditur zyrtarët e sigurisë në këtë shtet.

Gjatë incidentit në burgun “Puente Grande”, tre persona u vranë me armë zjarri dhe katër të tjerë nga të rrahurat, tha prokurori Gerardo Octavio gjatë një konference për gazetarë.

Autoritetet më vonë e konfirmuan edhe një rast fatal pasi nëntë persona të lënduar ishin dërguar në spital. Ato thanë se përleshja filloi gjatë kohës kur të burgosurit ishin duke e zhvilluar një aktivitet sportiv, shkruan “Reuters”.

Zyrtarët thanë se stafi i burgut nuk e ka humbur kontrollin në objekt dhe nuk ka qenë i kërcënuar nga dhuna. Pas këtij rasti, pjesëtarët e stafit të sigurisë i gjetën dhe i konfiskuan dy armë zjarri dhe një pajisje shpërthyese.

Pesë persona po merren në pyetje për rolin e mundshëm që e kanë pasur në këtë përleshje të përgjakshme. Autoritetet po hetojnë nëse në këtë ngjarje është i përfshirë edhe ndonjë shërbyes publik.

(Kosova Sot Online )