Franca lejon rifillimin e tubimeve fetare

  • 23 May 2020 - 13:13
 Franca lejon rifillimin e tubimeve fetare

Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar se do ta lejojë rifillimin e tubimeve fetare pas dy muajve të ndalimit si pasojë e pandemisë. Megjithatë, besimtarët do të jenë të obliguar që të vendosin maska.

Njoftimi për lejimin e tubimeve fetare nga kjo ministri u dha në orët e vona të së premtes. Sipas vendimit, do të shfuqizohet masa e ndalimit të tubimeve, që kishte hyrë në fuqi në mars, shkruan “France24”.

Sidoqoftë, besimtarët duhet t’i respektojnë disa rregulla për ta shfrytëzuar këtë të drejtë, përfshirë vendosjen e maskave, mbajtjen e distancës prej së paku një metri dhe pastrimin e duarve.

Qeveria franceze më herët gjatë këtij muaji i kishte lehtësuar disa masa kufizuese, por e mbajti në fuqi ndalimin e tubimeve fetare. Kjo kishte nxitur ankesa nga grupet fetare, të cilat thanë se janë duke u trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Myslimanët, të cilët e përbëjnë rreth 9 për qind të popullsisë së Francës, këtë fundjavë e festojnë Fitër Bajramin, që shënon fundin e muajit të agjërimit.

(Kosova Sot Online)