Rastet e reja me COVID-19 në Vushtrri, do të testohen mbi 50 persona

  • 28 May 2020 - 14:52
Rastet e reja me COVID-19 në Vushtrri, do të testohen mbi 50 persona

Një rast me COVID-19 u konfirmuar mbrëmjen e së mërkurës, duke çuar në 56 numrin e personave me koronavirus në këtë komunë. Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli, tha se do të testohen mbi 50 persona, kontakte të personave që u prekën me koronavirus nga kjo komunë

“Mbrëmë u konfirmua një rast i ri në komunën e Vushtrrisë, që është rast kontakti i atyre që kanë dalë pozitivë më herët në komunën tonë. Po vazhdon marrja e mostrave të kontakteve të identifikuara, sot pritet të testohen mbi 50 mostra të tetë rasteve që kanë rezultuar pozitivë në dy ditët e fundit”, ka thënë Meholli.

Ndërkohë ai bëri të ditur se disa punonjës të Qendrës për Punë Sociale në Vushtrri po qëndrojnë në vetizolim pasi kanë pasur kontakt me personat e konfirmuar me koronavirus.

“Do të testohen edhe disa punonjës të qendrës për Punë Sociale, të cilët kanë pasur kontakte me të prekurit. Punëtorët që janë identifikuar janë udhëzuar të qëndrojnë në vetizolim”, theksoi Meholli.

(Kosova Sot Online)