Haradinaj: Sa më shpejt të formohet Qeveria Hoti

  • 28 May 2020 - 23:45
 Haradinaj: Sa më shpejt të formohet Qeveria Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për kryeministër.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Haradinaj ka bërë thirrje që sa më shpejt të formohet Qeveria Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e tij AAK, dhe Nisma Socialdemokrate.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se “çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve”.

“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)