Një pjesë e nxënësve kthehen në shkollë, por jo gjithçka shkoi si duhet

  • 01 June 2020 - 12:40
Një pjesë e nxënësve kthehen në shkollë, por jo gjithçka shkoi si duhet

Rreth dy milionë nxënës janë kthyer në shkollë në Britaninë e Madhe të hënën. Megjithatë, disa fëmijë u kthyen në shtëpi pasi shkollat e tyre nuk ishin të gatshme.

Shumica e shkollave në Angli duket se po e injorojnë diktatin e qeverisë për kthimin në banka të të gjithë nxënësve të klasës së parë dhe klasës së gjashtë nga 1 qershori, shkruan “Daily Mail”.

Shumë prej shkollave do të mbesin të mbyllura për së paku edhe një javë tjetër, ndërsa udhëheqësit e shkollave të tjera kanë thënë se do t’i pranojnë vetëm fëmijët e punëtorëve që janë të angazhuar në shërbime themelore.

Në disa shkolla kishte tollovi, sepse prindërit u detyruan të kthehen në shtëpi me fëmijët e tyre pasi shkollat u thanë se nuk mund të hyjnë brenda.

Shkolla fillore “Winsor” në Londrën lindore javën e kaluar ua dërgoi një letër prindërve, me të cilën i informoi për rifillimin e mësimit për të hënën. Megjithatë, kjo shkollë më 1 qershor nuk i pranoi fëmijët brenda.

Sindikatat e mësuesve në Britani vazhdimisht e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për rihapjen e shkollave më 1 qershor për shkak të rrezikut nga pandemia.

(Kosova Sot Online)