Opozita italiane i shkel rregullat e distancës fizike, mban protestë në Romë

  • 02 June 2020 - 15:43
 Opozita italiane i shkel rregullat e distancës fizike, mban protestë në Romë

Partitë opozitare të Italisë dhe qindra përkrahës të tyre i kanë shkelur rregullat e distancimit fizik për t’i mbushur rrugët qendrore të Romës në një protestë kundër qeverisë.

Me më shumë se 233,000 raste të koronavirusit, Italia është një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi dhe vetëm së voni ka vendosur t’i lehtësojë në mënyrë graduale masat kufizuese që i kishte vendosur në mars, shkruan “Reuters”.

Përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, protestuesit u panë duke marshuar afër njëri-tjetrit me një flamur të madh Italian nëpër rrugën “Via del Corso” dhe duke shkuar drejt qendrës historike të Romës.

Disa protestues nuk kishin maska, përdorimi i të cilave është i obligueshëm në rastet kur nuk mund të sigurohet distance fizike mes njerëzve.

Kryetari i partisë “Lidhja”, Matteo Salvini, bëri fotografi “selfie” me përkrahësit e tij dhe foli para gazetarëve me një maskë me flamurin e Italisë.

“Unë kam maskë, por ekspertët po thonë se virusi është duke vdekur”, tha Salvini, duke iu referuar deklaratave të profesorëve italianë, të cilët kanë thënë se koronavirusi është duke e humbur fuqinë e vet.

(Kosova Sot Online)