Lajçak në qershor viziton Prishtinën e Beogradin, pritet marrëveshje brenda muajsh

  • 04 qershor 2020 - 15:11
Lajçak në qershor viziton Prishtinën e Beogradin, pritet marrëveshje brenda muajsh

Përfaqësuesi Special i BE’së, Miroslav Lajcak, planifikon që të vizitojë Prishtinë dhe Beogradin gjatë muajit qershor, për të përgatitur terrenin për rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve mes dy shteteve.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar burime diplomatike brenda BE’së për televizionin publik të Serbisë.

“Në Bruksel presin që të ketë rinisje të dialogut pa vonesa dhe thonë se arritja e një marrëveshje finale është çështje muajsh dhe jo e viteve. Ndryshimi i kufijve nuk ka mbështetje në rajon dhe as Bashkimi Evropian nuk e sheh si një zgjidhje të problemit mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë ky burim brenda BE’së.

Ndërkohë kanë thënë se mbase takimi i parë Prishtinë-Beograd mund të mos zhvillohet përgjatë muajit qershor, por thonë se ai do të mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE’së dhe do të përqendrohet në dy qëllime kryesore.

“Zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare për normalizim të raporteve mes Prishtinë dhe Beogradit”, ka thënë ky zyrtar i BE’së për RTS.

Ky burim ka thënë se marrëveshja finale nëse do të jenë të gatshme të dy palët do të arrihet brenda muajsh.

(Kosova Sot Online)