Policia amerikane qëllon, vret dhe burgos më shumë njerëz se vendet tjera të zhvilluara

  • 08 June 2020 - 11:55
 Policia amerikane qëllon, vret dhe burgos më shumë njerëz se vendet tjera të zhvilluara

Sipas krahasimeve me statistika, policia në Shtetet e Bashkuara qëllon, arreston dhe burgos më shumë njerëz se forcat e sigurisë në shtetet që kanë shkallë të ngjashme të zhvillimit.

Një fakt tjetër shqetësues është që nga këto veprime të policisë në Shtetet e Bashkuara, më të prekur janë personat me ngjyrë, shkruan “CNN”.

Gjatë periudhës 2015-2016, në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur 1,348 persona në ndalim policor ose 12 në 100 mijë arrestime. Për krahasim, në Australi kanë vdekur 21 persona në ndalim policor, ndërsa në Britani të Madhe 13.

Në vitin 2018, policia amerikane i ka qëlluar për vdekje rreth një mijë persona ose mesatarisht 31 për çdo 10 milionë banorë. Në Gjermani, atë vit policia i ka qëlluar për vdekje 11 njerëz, në Australi tetë, në Suedi gjashtë dhe në Britani 3.

Në Shtetet e Bashkuara, policia gjatë vitit 2018 i ka arrestuar tre njerëz për çdo 100 persona, ndërsa në Australi kjo shifër është dy për 100 e në Britani vetëm një për 100.

Gjatë vitit 2016, numri mesatar i personave që kanë pësuar ushtrim të forcës nga policia ka dallim të madh sa i përket racës. Te personat me ngjyrë, kjo shifër është 273 për 100 mijë, ndërsa te të bardhët 76 për 100 mijë.

(Kosova Sot Online)