Katër raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

  • 08 June 2020 - 12:59
Katër raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

Janë raportuar katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Dy raste janë raportuar në Prishtinë, një në Prizren dhe një në Zveçan.

Në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar nga dy gra.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarat femra kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

Në rastin tjetër që ka ndodhur në Prishtinë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati”, raporton policia.

Në Prizren është arrestuar një burrë i cili pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një grua.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thekson policia.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Zveçan, ku një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua.  

“Një i dyshuar kosovar është arrestuar për shkak se ka sulmuar fizikisht dhe kanosur viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin, është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

(Kosova Sot Online)