“Shqiptarët e serbët mbështesin rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi”

  • 09 June 2020 - 19:28
 “Shqiptarët e serbët mbështesin rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi”

Një studim i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit vë në pah se shumica e popullsisë në Kosovë mbështet rifillimin e bisedimeve më Serbinë dhe përmbylljen e një marrëveshjeje, por pikëpamjet rreth saj janë të ndara në vija etnike.

Gjatë prezantimit të studimit “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i cili ka përfshirë tre skenarë të mundshëm të arritjes së një marrëveshjeje, u tha se 90 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me vazhdimin e status quos në Kosovë.

Hartuesi i këtij raporti, profesori, Anthony Heath tha se dallimet janë të thella rreth skenarit për një marrëveshje me njohje të ndërsjellë në shkëmbim të kompetencave ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“87 për qind e shqiptarëve dhe vetëm 26 për qind e serbëve të anketuar, fuqishëm ose disi nuk pajtohen për t’i dhënë pushtet ekzekutiv Asociacionit serb të Kosovës. Pra ka më shumë mbështetje brenda komunitetit serb për këtë skenarë”, tha profesori Heath.

Ai tha se skenari tjetër për një marrëveshje që përfshinë korrigjimin e kufirit po ashtu shpërfaqë qëndrime të ndryshme në vija etnike.

“29 për qind e shqiptarëve të anketuar dhe 40 për qind e serbëve të anketuar theksojnë se Kosova duhet të pranojë korrigjimin e kufirit ndërsa shumica e shqiptarëve pra 67 për qind dhe 39 për qind në mesin e serbëve thonë se Kosova nuk duhet të mbështet korrigjimin e kufirit”, tha ai.

Profesori Anthony Heath tha se derisa nuk ka një pajtim ndërmjet qytetarëve për mënyrën se si do të duhej të duket marrëveshja, edhe shqiptarët edhe serbët presin një përmbyllje të marrëveshjes ndërmjet të dy vendeve.

“Sigurisht popullata shqiptare dhe serbe në Kosovë flasin me zërat gjithnjë e më të ndryshëm në lidhje me fuqitë ekzekutive të Asociacionit të komunave serbe por të dyja komunitetet flasin me një zë për nevojën e vazhdimit të bisedimeve dhe për të bërë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Pra, zëri i popullit e thotë me zë të lartë dhe qartë që të hiqet ngërçi, siguroni njohje ndërkombëtare dhe integrim evropian”, tha ai.

Sipas këtij studimi 54 për qind e të anketuarve deklaruan se Kosova nuk duhet të kërkojë bashkim me Shqipërinë, nëse pavarësia e saj njihet nga Serbia ndërsa 37 për qind deklaruan se Kosova ‘duhet të kërkojë bashkim me Shqipërinë nëse njihet nga Serbia.

Aktualisht, bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, të pezulluara për gati dy vjet me radhë, pritet të rifillojnë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Tashmë qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti hoqi të gjitha masat ndaj Serbisë dhe pret që njësoj të veprojë edhe Beogradi për të mundësuar rifillimin e bisedimeve ndërmjet dy vendeve.

Në përpjekje për të zhbllokuar bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë tashmë janë përfshirë Shtetet e Bashkuara me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, ambasadorin Richard Grenell dhe Bashkimi Evropian i cili ka emëruar të dërguarin e posaçëm për këto bisedime, diplomatin Miroslav Lajçak, i cili ka paralajmëruar të vizitojë së shpejti të dyja vendet për të diskutuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve.

(Kosova Sot Online)