Lajçak: Kosova duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë që të futet në BE

  • 16 June 2020 - 20:30
 Lajçak: Kosova duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë që të futet në BE

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka folur pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe zëvendësministrat e vendit.

Ai shprehet se takimi ishte shumë produktiv dhe shprehet se është i gëzuar që dialogu Kosovë – Serbi i ndërmjetësuar nga BE është prioritet i qeverisë.

Lajçak gjithashtu ka thënë se ia ka paraqitur Hotit pritjet e BE-së nga dialogu dhe gjithashtu se e ka ftuar atë të vizitojë Brukselin.

“Ne patëm një mbledhje shumë produktive me kryeministrin dhe zëvendësministrat, unë i njoftova ata me planin tim si të procedojmë me dialogun dhe elementet kryesore të cilat i kam përmendur, por sigurisht e respektoj rendin kushtetues të qeverisë në dialog dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE është një ndër prioritetet e qeverisë së Kosovës. I thash kryeministrit për pritjet tona dhe kam ftuar kryeministrin të vizitojë Brukselin dhe pastaj do t’i takojë të gjithë politikanët e rëndësishëm të partive politike në Kosovë dhe t’iu themi detaje më shumë se çfarë ne presim nga ky dialog.”, tha Lajçak.

Lajçak gjithashtu shprehet se ka arritur një moment kur dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shënojë suksese teksa po hyn në vitin e 10-të.

Ai në fund tha se rruga e Kosovës për në BE kalon kah normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe shprehet se marrëveshja midis dy vendeve mund të bëhet vetëm nga Bashkimi Evropian.

“Është një mundësi e mirë për të shënjuar edhe një hap në kur dialogu i ndërmjetësuar nga BE po hyn në vitin e 10-të, është dialog që bëhet në kuadër të rezolutës të OKB-së dhe ky dialog ka dhënë rezultate konkrete për njerëzit e Kosovës dhe pa ndërmjetësimin e BE-së nuk do të ishte e mundur dhe ne jemi duke u munduar të vendosim procesin në një përfundim të suksesshëm. Rruga e Kosovës në BE kalon kah normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Unë dua që Kosova të avancojë në këtë pikë dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër përveç Bashkimit Evropian”, tha Lajçak në fund.

(Kosova Sot Online)