“Thika mbi harta”, “ndarje” e “anashkalim të Evropës”, dilemat që i hoqi Grenell para takimit në Washington

  • 19 June 2020 - 16:18
 “Thika mbi harta”, “ndarje” e “anashkalim të Evropës”, dilemat që i hoqi Grenell para takimit në Washington

Kosova dhe Serbia në takimin e 27 qershorit në Washington do të diskutojnë vetëm për ekonomi. Për diskutimet që do të bëhen në Shtëpinë e Bardhë ka koordinim të ngushtë me Francën dhe Gjermaninë, shtete këto që në të ardhmen do të kenë mbi shpinë barrën për zgjidhjen e problemit politik mes Prishtinës dhe Beogradit. Në praninë e Grenell dhe O’Brien s’do të flitet për korrigjim kufijsh apo tema të ndjeshme politike. Këto janë vetëm disa prej konstatimeve kryesore që emisari i Trump, Richard Grenell, ka dhënë dje në një intervistë ekskluzive për Express.

s

Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një intervistë të dhënë dje për Gazetën Express ka sqaruar shumëçka rreth takimit të 27 qershorit në Washington dhe rreth përfshirjes e synimeve amerikane në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Emisari i Trump, Grenell, ka përmendur dy faza nëpër të cilat do të kalojë procesi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit. Fazën e parë që do të përfshijë bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Serbi ka thënë se do ta drejtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa thotë se për Fazën e Dytë në të cilën përfshihen problemet politike është përgjegjës Bashkimi Evropian.

Këto deklarata Grenell i ka dhënë teksa ka sqaruar qëllimin e takimit të 27 qershorit në Washington duke hedhur poshtë të gjitha thashethemet rreth temave që do të diskutohen në Shtëpinë e Bardhë.

Ai thotë se me ndërmjetësimin e tij dhe të O’Brien Kosova dhe Serbia do të diskutojnë vetëm për probleme që ndërlidhen me ekonominë. Për emisarin e Trump, s’mund të ketë një marrëveshje finale mes dy shteteve derisa ka probleme esenciale në raportet ekonomike mes dy shteteve.

“Unë mendoj se ju duhet të prisni vetëm biseda për çështje ekonomike. Ka shumë thashetheme për atë se në lidhje me çka janë këto bisedime dhe njerëzit që nuk e dinë po pretendojnë se e dinë dhe janë duke e hutuar publikun dhe unë vërtet shpresoj se publiku në Kosovë, në Serbi, në Evropë ta kuptojë se ata duhet t’i dëgjojnë vetëm njerëzit që e dinë se për çfarë po flasin, sepse janë disa raporte dhe komentues egoistë që po pretendojnë se e dinë çfarë është duke ndodhur”, ka thënë Grenell për Express.

Teksa ka folur për takimin e 27 qershorit, Richard Grenell, gjithashtu ka demantuar edhe zërat që flasin për një moskoordinim dhe anashkalim të plotë të Evropës nga SHBA’të.

Grenell ka thënë se është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm më këshilltarët kryesor të presidentit Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, të cilëve thotë se e dinë mjaft mirë përgjegjësinë e SHBA’së në raport me problemin Kosovë-Serbi.

“Unë jam koordinuar shumë herë me këshilltarin francez për siguri kombëtare, Emmanuel Bonne, dhe me këshilltarin gjerman për siguri kombëtare, Jan Hecker. Ata të dy e dinë se cili është roli i kufizuar i Shteteve të Bashkuara. Roli ynë i kufizuar është që të shtyjmë drejt normalizimit ekonomik, të ofrojmë ndihmë për të krijuar vende pune, të ofrojmë ndihmë që t’i lehtësojmë disa nga çështjet politike. Secili që vazhdon të parashikojë çështje politike ose që pretendon se ne do të bisedojmë për çështjet e vështira politike javën e ardhshme, e ka gabim. Vizioni im, për të cilin kam biseduar me këshilltarin francez dhe këshilltarin gjerman, i ka dy hapa. Hapi i parë është normalizimi ekonomik”, ka sqaruar tutje emisari i Trump.

Emisari amerikan insiston se pa pasur progres në raportet ekonomike nuk mund të kalohet në fazën e dytë të problemeve politike për të cilën rithekson se është në dorën e gjermanëve dhe francezëve.

“Dëgjoni, janë dy faza të ndryshme për këtë. Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në fazën ekonomike. Të gjitha çështjet politike janë çështje evropiane. Ajo vjen e dyta. Ajo nuk do të jetë e suksesshme dhe vizioni që e ndajmë me francezët dhe gjermanët është se ju nuk do të jeni të suksesshëm në çështjet politike pa krijuar vende pune për të rinjtë dhe pa krijuar normalizim ekonomik. Si mund të pretendoni se jeni duke e bërë një marrëveshje finale, kur kufijtë nuk janë të hapur dhe kur nuk ka një fluturime mes Prishtinës dhe Beogradit për komunitetin e biznesit që të bëjë një normalizim ekonomik?”, ka shtuar Richard Grenell.

Përveç tjerash në këtë intervistë Grenell ka folur edhe për raportet dhe komunikimin që ka pasur me ish-kryeministrin Kurti rreth heqjes së taksës, reciprocitetit dhe shkëmbimit të territoreve.

Grenell ka demantuar Kurtin duke thënë se e ka pasur gabim kur vazhdimisht ka folur për punën e shkëmbimit të territoreve, meqë SHBA’ja nuk do të merret me probleme të thella politike, por vetëm me ekonomi.

“E dini, nuk do të flisni për çështje politike derisa të shënoni përparim në ekonomi, derisa njerëzit të shohin vende pune dhe kjo merr kohë të gjatë që është një tjetër goditje e drejtpërdrejt kundër këtyre thashethemeve se Administrata Trump po kërkon një marrëveshje të shpejtë. Kjo është plotësisht e gabuar, kjo kurrë nuk ka qenë pjesë e ekuacionit. Ne nuk kemi afate kohore. Ne kurrë nuk kemi kërkuar diçka të shpejtë. Albin Kurti vazhdimisht e thoshte këtë dhe ai gjithashtu vazhdimisht thoshte se ne duam shkëmbim territoresh. Unë po ju tregoj se nuk do të flasim për këto çështje të vështira politike. Fokusi i Shteteve të Bashkuara është në normalizim ekonomik”, ka sqaruar Grenell.

(Kosova Sot Online)