Haxhiu pohon se rreziku për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk ka kaluar

  • E.K /
  • 19 June 2020 - 19:54
 Haxhiu pohon se rreziku për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk ka kaluar

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se rreziku për pazare territoriale ekziston ende. Haxhiu e vlerëson këtë pas deklaratës së Richard Grenellit, i cili tha se ideja e shkëmbimit të territoreve ka ekzistuar dhe ka qenë e ish-këshilltarit për Siguri Nacionale, John Bolton.

“Pra, shkëmbimi territorial nuk ishte as paranojë as shpikje e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtit siç thonin. Për ata që s’besonin sot u vërtetua edhe njëherë. Por, ky rrezik ende nuk ka kaluar sepse inciuesit e këtij pazari, Thaçi-Vuçiq ende vazhdojnë të jenë në këta binarë. Prandaj duhet angazhim maksimal për t’i ndaluar projektet e tyre të rrezikshme”, shkruan Haxhiu në Facebook.

Sipas Haxhiut, po të mos ishte gjithë kundërshtimi i tyre dhe i qytetarëve në protestën e 29 shtatorit “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” dhe jo vetëm, “tashmë do t’i vuanim pasojat e asaj marrëveshje!”.

“Rifillimet e mbrapshta pa i ndryshuar premisat e dialogut dhe pa ndërruar ata që e kanë sjellur vendin në këtë pikë do të kenë rezultate të këqija. Mirëpo, këta përfaqësues ilegal e ilegjitim nuk do të mund të sjellin marrëveshje për Kosovën”, përfundon Haxhiu.

Grenelli gjatë një interviste për “FoxNews”, kishte theksuar se ideja për shkëmbim territoresh ishte e Boltonit derisa ka theksuar se më 27 qershor në Washington, s’do të jetë temë diskutimi.

“Kur jemi te Kosova dhe Serbia, ne do t’i kemi të dy palët në Shtëpinë e Bardhë të shtunën e ardhshme (27 qershor) për të folur rreth një marrëveshjeje historike për lëvizje përpara. Unë në mënyrë konstante po luftojë kundër thashethemeve për shkëmbim të territoreve. Por kjo nuk është politika e Trumpit. Por kur gjurmoni më shumë, të dy palët thonë ‘Mirë, po kjo është ajo që Bolton ka thënë’”, ka thënë Grenell.

(Kosova Sot Online)