Ministria e Shëndetësisë sqaron vendimin për testim të qytetarëve që hyjnë në Kosovë

  • E.K /
  • 24 June 2020 - 18:32
 Ministria e Shëndetësisë sqaron vendimin për testim të qytetarëve që hyjnë në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka sqaruar vendimin e marrë të martën me të cilin thuhej se rekomandohen të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë që të kenë testin negativ për koronavirus, jo më të vjetër se katër ditë.

“Rekomandimi nuk do të thotë që secili udhëtar që hyn në Republikën e Kosovës, sipas vendimit të lartpërmendur obligohet ta ketë testin RT-PCR negativ, por është vetëm rekomandim që i ndihmon qytetarët që të kenë më shumë informacione dhe siguri rreth statusit të tyre shëndetësor në raport me Covid-19”, thuhet në njoftimin e MSh’së.

“Pra, testi nuk është i obliguar, ndërsa mbetet në vullnetin e secilit që hyn në Kosovë nëse dëshiron që ta bëjë një test të tillë apo jo në vendin prej nga vjen në Kosovë. Ndërsa, a u kërkohet atyre që kur të kthehen në vendet prej nga vijnë që ta kenë testin për Covid-19 apo jo, për këtë çështja qytetarët duhet të pyesin në vendet prej nga vijnë para se të udhëtojnë për në Kosovë, në mënyrë që të sigurohen që nuk do të kenë probleme me rastin e kthimit në vendet ku punojnë apo jetojnë”, thuhet në sqarimin e MSH-së.

Të martën u vendos që nga data 28 qershor të lejohet edhe fluturimet për dhe nga Prishtina, tre muaj pasi ishte ndaluar për shkak të pandemisë.

(Kosova Sot Online)