Krerët e BE’së ia kujtojnë Vuçiqit se Kosova është çelësi në rrugën drejt integrimit

  • 26 June 2020 - 15:41
 Krerët e BE’së ia kujtojnë Vuçiqit se Kosova është çelësi në rrugën drejt integrimit

Dialogu i Serbisë me Kosovën mbetet një çështje e rëndësishme. Kështu ka deklaruar me anë të një shënimi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

”Dialogu me Kosovën mbetet një çështje kyçe”, ka shkruar ajo pas takimit.

Gjithashtu, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor dhe dialogu me Prishtinën është çelësi”.

Këto deklarata të dy udhëheqësve të institucioneve të Bashkimit Evropian vijnë pas takimeve që kanë pasur me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Dje kryeministri Hoti është takuar në Bruksel, derisa sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ishte planifikuar që të udhëtonin drejt Washingtonit për të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit atje, megjithatë aktakuza e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj presidentit Thaçi ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

Kreu i shtetit pritet që të arrijë shpejtë në Kosovë, dhe të dielën siç ka njoftuar do t’i drejtohet opinionit.

(Kosova Sot Online)