Rusia pagoi militantë afganë për t’i vrarë trupat amerikane

  • G.G /
  • 27 June 2020 - 10:04
Rusia pagoi militantë afganë për t’i vrarë trupat amerikane

Zyrtarët e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundim se inteligjenca ushtarake ruse u ka ofruar shpërblime me të holla militantëve të lidhura me talibanët që t’i vrasin trupat amerikane në Afganistan.

Duke cituar zyrtarë anonimë të afërt me këtë çështje, gazeta “The New York Times” raportoi se një njësi sekrete e inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë, e lidhur me përpjekje për vrasje në Evropë, ka ofruar shpërblime për sulmet e suksesshme vitin e kaluar.

Ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara ka reaguar menjëherë ndaj këtij raporti, duke thënë se ai përmban akuza të pabaza dhe anonime, shkruan “Free Europe”.

“Në mungesë të arsyeve për t’i fajësuar rusët, The New York Times është aty për të shikur lajme të rreme të reja”, shkroi Ambasada e Rusisë në Twitter.

Kjo gazetë raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, është informuar nga inteligjenca për këtë çështje në muajin mars, por Shtëpia e Bardhë ende nuk ka vendosur se si do të përgjigjet.

Sipas kësaj gazete, militantët e lidhur me talibanët ose elementet e armatosura kriminale të lidhura ngushtë me ta e kanë marrë një pjesë të parave. Megjitatë, nuk është e qartë nëse këto pagesa janë të lidhura me vrasjen e ndonjërit prej 20 ushtarëve amerikanë që ranë në Afganistan vitin e kaluar.

(Kosova Sot Online)