Pas aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit, PDK thotë se po mobilizon strukturat

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 16:32
 Pas aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit, PDK thotë se po mobilizon strukturat

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot ka mbajtur takim me kryesinë, Grupin Parlamentar dhe kryetarët e degëve.

PDK e ka quajtuar shqetësuese publikimin e aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit, Kadri Veseli.

“Publikimi i paprecedent i pretendimeve për aktakuzë për dy nga themeluesit e UÇK-së, dy personalitetet kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është veprim kundërthënës. Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

Tutje PDK’ja u ka bërë thirrje strukturave të partisë dhe qytetarëve që së bashku të mbrohet lufta çlirimtare.

“Ne ju bëjmë thirrje strukturave drejtuese të partisë, anëtarësisë, qytetarëve dhe të gjitha partive politike që të shfaqin maturi dhe solidaritet, në mënyrë që së bashku ta mbrojmë luftën tonë të drejtë dhe interesin e shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)