Irani shënon rekord të viktimave nga koronavirusi për 24 orë

  • G.G /
  • 29 June 2020 - 16:30
Irani shënon rekord të viktimave nga koronavirusi për 24 orë

Irani i ka regjistruar 162 të vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara. Kjo është shifra më e lartë ditore e viktimave të pandemisë që nga fillimi i përhapjes së virusit në Republikën Islamike në muajin shkurt.

“Kjo rritje e numrave është në fakt pasqyrim i performancës sonë të përgjithshme, edhe në aspektin e rihapjes, edhe në përputhje me protokollet shëndetësore”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Sima Sadat Lari.

Rekordi i mëparshëm i viktimave të koronavirusit në këtë shtet për 24 orë ishte shënuar në fillim të prillit, kur ishin regjistruar 158 të vdekur për një ditë.

Përpos viktimave, gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan edhe 2,536 raste të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 225,205. Numri i përgjithshëm i viktimave është 10,670.

Shifrat zyrtare kanë treguar trajektore në rritje të rasteve të reja që nga pjesa e parë e majit, kur Irani e kishte shënuar pikën më të ulët të rasteve ditore në gati dy muaj.

Irani i ka raportuar rastet e para të koronavirusit më 19 shkurt dhe prej asaj kohe ka hasur në vështirësi për ta kontrolluar pandeminë, duke u bërë vendi më i prekur në Lindjen e Mesme.

(Kosova Sot Online)