Bullgaria do t’i ndëshkojë ata që nuk i respektojnë masat kundër pandemisë

  • A.P /
  • 06 July 2020 - 14:47
Bullgaria do t’i ndëshkojë ata që nuk i respektojnë masat kundër pandemisë

Bullgaria do të marrë masa ligjore kundër personave që nuk vendosin maska në hapësira të mbyllura ose që nuk e mbajnë distancën fizike në vende publike, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Kiril Ananiev.

Deri më tani, vendi ballkanik i ka regjistruar 5,740 persona të infektuar me virusin e ri dhe 246 viktima. Vetëm javën e kaluar u regjistruan 1,049 raste të reja. Numri i rasteve ditore ka shënuar rritje javën e fundit.

Ministri Ananiev tha se do ta zgjasë afatin e emergjencës shëndetësore deri në fund të korrikut për t’u mundësuar lëshimi i urdhrave të veçantë në rast nevoje, shkruan “Reuters”.

Ai u bëri thirrje autoriteteve lokale që ta bëjnë të detyrueshëm zbatimin e masave kundër virusit dhe ta kufizojnë numrin e tubimeve të mëdha publike. Gjobat për ata që nuk respektojnë distancën fizike dhe masat e tjera do të zbatohen në mënyrë më të rreptë.

Të hënën, zyrtarët shëndetësorë në qytetin Veliko Tarnovo thanë se 23 nga 42 personat që morën pjesë në një mbrëmje të maturës në fund të muajit të kaluar kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.

(Kosova Sot Online)