Rusia ndalon gjuajtjen e marmotit pas rasteve të murtajës në Mongoli e Kinë

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 08:36
Rusia ndalon gjuajtjen e marmotit pas rasteve të murtajës në Mongoli e Kinë

Autoritetet ruse kanë thënë se i kanë shtuar patrullimet për t’ua ndaluar njerëzve gjuajtjen e marmotit afër kufirit me Kinën dhe Mongolinë pasi këto vende raportuan raste të dyshimta të murtajës bubonike, e cila mund të bartet kryesisht nga brejtësit.

Zyrtarët në Bayan Nur, qytet në rajonin kinez të Mongolisë së Brendshme, të dielën e lëshuan një paralajmërim pasi një spital e raportoi një rast të dyshimtë të sëmundjes vdekjeprurëse, shkruan “Reuters”.

Rajoni kinez e ndaloi gjuajtjen dhe ngrënien e mishit të brejtësve të mëdhenj dhe kërkoi nga banorët që ta raportojnë secilin rast të dyshimtë si dhe nëse shohin ndonjë marmot të sëmurë apo të ngordhur.

Mongolia gjithashtu i raportoi dy raste të murtajës bubonike, të lidhura me njerëzit që kanë ngrënë mish të marmotit në provincën perëndimore, Khovd.

Autoritetet në rajonin rus, Altai, që kufizohet me Kazakistanin, Kinën dhe Mongolinë, thanë se zyrtarët janë duke patrulluar në terren për t’u siguruar se po zbatohen ndalimi i gjuajtjes së marmotëve dhe për t’i paralajmëruar njerëzit për rrezikun.

Murtaja bubonike, e njohur si “Vdekja e zezë” në Epokën e Mesjetës, është një sëmundje shumë ngjitëse dhe shpesh fatale që përhapet kryesisht nga brejtësit. Rastet e personave që janë prekur nga kjo sëmundje në kohën moderne janë shumë të rralla.

(Kosova Sot Online)