Dënohet me 1,600 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje

  • 07 July 2020 - 15:24
Dënohet me 1,600 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, e ka dënuar me 1,600 euro gjobë të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Faton Thaqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nikollë Komani, i akuzuari Thaqi gjobën është i obliguar që ta paguajë në afat prej 30 ditësh, pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Të akuzuarit Thaqi i janë konfiskuar edhe armët, karikatorët, fishekët dhe spreji, të sekuestruara nga ana e Policisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 3 korrik të këtij viti, Thaqi e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Thaqi po akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 23 janar 2019 ka mbajtur në pronësi armë pa autorizim në kundërshtim me ligjin, dhe atë një armë automatike AK-47 me një karikator pa fishekë, një pistoletë e tipit TT, e kalibrit 7.62mm, dhe një karikator dhe tetë fishekë të kalibrit 7.62mm dhe një sprej, të cilat janë gjetur në shtëpinë e të akuzuarit pas një bastisje nga ana e Policisë së Kosovës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 374 paragrafin 1 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)