Ministri Selimi takoi Kryetarin Arifi: Me punë të përbashkët, do ta bëjmë më të mirën për Preshevën

  • A.P /
  • 09 July 2020 - 13:19
Ministri Selimi takoi Kryetarin Arifi: Me punë të përbashkët, do ta bëjmë më të mirën për Preshevën

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që vetë është nga Presheva, bashkë me ministren e jashtme Meliza Haradinajn, kanë qëndruar sot në komunën shqiptare në Serbi. Atje e kanë takuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin.

Në njoftimin e lëshuar nga ministria e Drejtësisë thuhet se ministrat janë informuar për gjendjen në komunat shqiptare të Serbisë.

“Me Kryetarin Arifi, ministrat kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe për mundësitë e mbështetjes së tyre. Në takim dy ministrat u informuan me situatën aktuale politike në Preshevë, pozitën dhe kërkesat e qytetarëve shqiptar dhe projektet e Komunës të cilat janë në interes dhe në shërbim të përmirësimit të  jetesës së qytetarëve në vend. Gjithashtu u theksua rëndësia e angazhimit dhe punës së përbashkët me qëllim të forcimit të faktorit shqiptar atje. U ritheksua kërkesa e Kryetarit Arifi për të qenë pjesë e takimeve të dy qeverive shqiptare për të sinkronizuar politikat e përbashkëta, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Luginës në procesin e dialogut pasi që një marrëveshje e arritur pa e përfshirë Luginën e Preshevës, sipas Kryetari Arifi, do të ishte e paqëndrueshme”, thuhet në njoftim.

Ministri thotë se ndien më shumë përgjegjësi ndaj vendlindes së tij.

 “Si ministër i Drejtësisë, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu siguroj se do të vazhdojmë të kemi një qasje të përkushtuar dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor për të përmirësuar dhe avancuar pozitën shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Komuna e Preshevës do ta ketë gjithë mbështetjen tonë në realizimin e projekteve konkrete për Luginën” tha Selimi.

Sipas komunikatës, Kryetari Arifi poashtu u sigurua nga Ministri Selimi që do të ketë mbështetjen e Ministrisë së cilën ai e drejton në kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë dhe për këtë ofroi mbështetje financiare dhe profesionale për t’i kthyer këto degë në vendin që iu takon.

Pjesë e këtij delegacioni është edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva.

(Kosova Sot Online)