Rusia dhe Kina bllokojnë për herë të dytë brenda javës në OKB ndihmat humanitare për Sirinë

  • G.G /
  • 11 korrik 2020 - 11:37
Rusia dhe Kina bllokojnë për herë të dytë brenda javës në OKB ndihmat humanitare për Sirinë

Rusia dhe Kina, dy nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të dytë brenda një jave e kanë përdorur të drejtën e vetos ndaj zgjatjes së miratimit të ndihmave humanitare të Turqisë për Sirinë edhe për një vit, pavarësisht paralajmërimeve të OKB-së se jeta e civilëve sirianë varet nga qasja në furnizimet që vijnë nga jashtë.

Operacioni humanitar që ka filluar para më shumë se gjashtë vjetëve është i autorizuar që të realizohet vetëm deri të premten. Të gjitha 13 shtetet e tjera që janë anëtare të këtij organi votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania dhe Belgjika.

Këshilli i Sigurimit më vonë të premten votoi për një tekst rival të Rusisë, me të cilin do të miratohej vetëm një pikëkalim turk për qasje në ndihma për gjashtë muaj. Gjatë pandemisë, Këshilli i Sigurimit ka funksionuar vetëm në mënyrë virtuale, që do të thotë se vendet anëtare kanë votuar nga distanca.

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha të martën se qasja në ndihmat e jashtme është jetike për mirëqenien e civilëve në pjesën veriperëndimore të Sirisë dhe se jeta e njerëzve varet nga to.

Në janar të këtij viti, Këshilli i Sigurimit e kishte lejuar zhvillimin e operacionit humanitar nga dy pikëkalime turke për gjashtë muaj, por i kishte larguar nga shfrytëzimi pikëkalimet nga Iraku dhe Jordania për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina, që janë aleate të regjimit sirian dhe diktatorit Bashar al-Assad.

(Kosova Sot Online)