Së paku 14 të vrarë nga një sulm i talibanëve në Afganistan

  • E.K /
  • 13 July 2020 - 15:43
 Së paku 14 të vrarë nga një sulm i talibanëve në Afganistan

Një shpërthim vetëvrasës me veturë bombë dhe luftimet mes talibanëve dhe forcave qeveritare i kanë lënë së paku 14 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në pjesën veriore të Afganistanit.

Sulmi që ndodhi në Aybak të provincës Samangan përfundoi me vrasjen e katër sulmuesve, bëri të ditur guvernatori provincial, Abdul Latif Ibrahimi.

Ibrahimi shtoi se në këtë sulm janë vrarë edhe dhjetë anëtarë të Drejtoratit Afgan për Siguri Kombëtare, shkruan “Free Europe”.

Një anëtar i këshillit provincial, i quajtur Raz Mohammad Khan, tha se në mesin e viktimave është edhe një grua. Sipas, tij, në sulm janë plagosur 63 persona, por paralajmëroi se këto janë shifra fillestare dhe numri mund të rritet.

Sulmuesit e kishin në shënjestër Departamentin e Shërbimeve Inteligjente në Aybak dhe shpërthimi ishte sinjal për militantët e tjerë që të aktivizohen. Raportohet se luftimet zgjatën disa orë.

Përgjegjësinë për shpërthimin vetëvrasës dhe sulmin me armë e mori zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

(Kosova Sot Online)