Anulohen tri seanca të korrupsionit në Gjykatën e Prishtinës

  • G.G /
  • 14 korrik 2020 - 13:49
Anulohen tri seanca të korrupsionit në Gjykatën e Prishtinës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, janë anuluar tre seanca të natyrës korruptive, të cilat kanë qenë të caktuara të mbahen nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Gjatë kësaj dite ishte paraparë të mbahet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Obiliqit, Avdi Mjeku, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, gjykimi ndaj zyrtarit të Telekomit të Kosovës, Fatmir Gjonbalaj, gjithashtu i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe gjykimi për rastin e njohur në opinion me emrin “Stenta 3”.

Mirëpo, asnjëra nga këto seanca nuk është mbajtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga zyra e gjykatëses Kuka-Mekaj, është bërë e ditur se këto seanca janë shtyrë për shkak të përhapjes së pandemisë globale Covid-19.

Lidhur me rastin e parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 18 korrik 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Avdi Mjekut, me pretendimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Mjeku thuhet se në cilësi të drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Obiliqit duke shfrytëzuar detyrën e tij i kishte tejkaluar kompetencat e tij duke mos përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit.

Ai pretendohet se nga 1 janari 2014 e deri në muajin maj 2016 ka lejuar ndërtime të objekteve pa leje në zonën e cila ishte shpallur me vendim të Qeverisë si zonë e interesit të veçantë ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” në Komunën e Obiliqit.

Prokuroria tutje akuzon Mjekun se nuk kishte vepruar sipas urdhëresave të inspektoratit qendror të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe nuk kishte kryer detyrën e tij për mbrojtjen e zonës së interesit të veçantë duke mos ndërmarrë masat ligjore për rrënimin dhe pengimin e ndërtimit të objekteve pa leje në atë zonë gjë që e ka penguar dhe rrezikuar shfrytëzimin e zonës me interes të veçantë ekonomik.

Kurse, në rastin tjetër që ishte paraparë të mbahet gjykimi të martën, sipas aktakuzës së përpiluar me 15 gusht 2019, Fatmir Gjonabalaj akuzohet se si menaxher i prokurimit në Telekomin e Kosovës, gjatë viteve 2014, 2015, 2016, ka tejkaluar kompetencat duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me ç’rast nuk i ka zbatuar vendimet e OSHP-së, gjatë ankesave të parashtruara nga operatori ekonomik të ofertuar për tenderin “Zgjerimin e rrjetit me fije optike në territorin e Republikës së Kosovës”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka vepruar në kundërshtim me nenin 131 të LPP-së, nuk ka zbatuar vendimet e OSHP-së, me numër 58/15, të datës 3 mars 2015, vendimin me numër 58/15, të datës 2 prill 2015, me të cilin i shqiptohet gjobë në vlerë prej 30 mijë euro, e po ashtu për mos zbatim të urdhëresës PSH.nr. 191/16, të datës 16 gusht 2016, gjobitet me 25 mijë euro, ku si pasojë e mos zbatimit i shkakton dëm buxhetit të kompanisë publike, Telekomit të Kosovës, në shumë të përgjithshme në vlerë prej 55.000.00 euro, gjobë e shqiptuar nga OSHP për mos zbatim të vendimit dhe urdhëresës ku sipas ligjit ka qenë i detyruar.

Ndërkaq, në rastin “Stenta 3”, janë të përfshirë të akuzuarit Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i KPRK-së.

Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH. Ndërsa për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacient me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna akuzohen se në periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, në bashkëkryerje me njëri tjetrin kanë ushtruar në mënyrë të kundërligjshme veprimet mjekësore në atë mënyrë që duke punuar në spitalin “Intermed”, koha pas kohe i pa licensuar, dhe duke vepruar edhe vet kohë pas kohe si mjek të pa licensuar, kanë trajtuar pacientë me ç’rast edhe kanë përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor

Kurse, spitalet private “IMH”, “Intermed”, po akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për dhënie ryshfeti po akuzohet edhe spitali privat “Doktor”.

Që të tri këto spitale akuzohen edhe për veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agan dhe ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 45 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar të mbajtur në shkurt 2018.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kundër këtij vendimi, Agani dhe Shabani janë ankuar, ashtu që kjo lëndë tashmë është në pritje të vendosjes nga Gjykata e Apelit.

Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ku janë të përfshirë mjekë nga spitalet publike është në vazhdim e sipër në shkallën e parë.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani,  sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë.  Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

(Kosova Sot Online)