Situata me koronavirusin keq e më keq

  • E.K /
  • 14 korrik 2020 - 18:50
 Situata me koronavirusin keq e më keq

OBSH’ja parashikon që pandemia e koronavirusit do të përkeqësohet nëse qeveritë nuk ndërmarrin hapa vendimtarë për të frenuar përhapjen e sëmundjes. 1 milionë të infektuar u regjistruan në botë vetëm javën e kaluar, me shumicën e rasteve në Brazil dhe SHBA.

Koronavirusi i ri që po pushton botën prej fundit të dhjetorit të kaluar ka prekur deri tani mbi 13 milionë persona e u ka marrë jetën 573 mijë të tjerëve.

Infeksioni respirator që shkakton sëmundjen e Covidit-19 shpërtheu fillimisht në qytetin kinez të Uhanit, dhe në pak muaj u përhap tragjikisht në Europë e tashmë vatrat janë dy Amerikat.

Në Amerikën Veriore dhe atë Latine, numri i të diagnostikuarve ka kapërcyer shifrën 6 milionë e gjysmë, Europa renditet e dyta me gati 3 milionë raste, ndjekur nga rajoni i Mesdheut Lindor, Azia Juglindore dhe Afrika e cila raporton rreth 600 mijë raste.

Tedros Adanom, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deklaron se nuk po reflektohet për rrezikun që kanos virusi, dhe faji për këtë i shkon pikësëpari qeverive por edhe shoqërisë.

“Nëse qeveritë nuk komunikojnë qartë me qytetarët e tyre dhe nuk praktikojnë një strategji që fokusohet te ndalja e transmetimit dhe shpëtimi i jetëve, nëse popullata nuk ndjek parimet themelore të shëndetit publik me distancim fizik, larje duarsh, mbajtje maskash, kollitjen e duhur dhe nuk qëndron në shtëpi kur është sëmurë, pandemia ka për të shkuar keq e më keq fare.”

Për shefin e OBSH-së, popullata globale nuk do mund t’i rikthehet dot normalitetit në të ardhmen e afërt.

Nga rekordi ditor prej 230 mijë rastesh që u raportuan ditën e diel, sipas Tedros, 50 për qind e rasteve vinin nga SHBA-ja dhe Brazili, që tani udhëheqin edhe listën e 188 vendeve të botës si për infeksionet, edhe për bilancin e viktimave, me mbi 200 mijë jetë të humbura së bashku.

Shpërthimet e reja kudo nëpër botë javët e fundit mendohet se kanë ardhur si pasojë e lehtësimit të shpejtë të masave anti-Covid, ndërsa numri real i të infektuarve konsiderohet se është disafish më i lartë pasi jo të gjithë bartësit e Covidit-19 janë testuar.

Agjencia globale e shëndetit ka dërguar ekipe shkencëtarësh në Kinë për të investiguar origjinën e virusit.

(Kosova Sot Online)