Vendosja e maskës bëhet e detyrueshme, por në këto vende mund të...

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 10:32
Vendosja e maskës bëhet e detyrueshme, por në këto vende mund të...

Duke nisur nga dita e premte, në Mbretërinë e Bashkuara vendosja e maskës është bërë e detyrueshme në banka, zyra postare, dyqane dhe supermarkete, qendrat tregtare të mbyllura si dhe në stacione.

Ky është njoftimi i qeverisë britanike, e cila ka shtuar se maskat duhet të vendosen edhe kur qytetarët blejnë ushqim dhe pije për ta marrë me vete dhe më pas largohen. Por nëse ushqimin e konsumon në të njëjtin ambient ku e bleu, atëherë klienti mund ta heqë maskën nga fytyra.

Teksa blerësit duhet me patjetër që të vendosin maskat, rregullat thonë se një gjë e tillë nuk është e detyrueshme për personelin e dyqanit apo supermarketit. Por qeveria rekomandon fuqimisht “që punëdhënësit ta konsiderojnë përdorimin e tyre atëherë kur duket se është e përshtatshme”.

Udhëzimet e reja të qeverisë britanike, detajet e të cilave u botuan të enjten pasdite, konfirmuan që maskat duhet të vendosen në dyqane, banka, shoqëri ndërtimi dhe zyra postare. Gjithashtu edhe në “qendra udhëtimi” siç janë stacionet e trenave dhe aeroporteve.

Nga ana tjetër nuk është e detyrueshme që maska të vendoset në parukeri, palestra, restorante për darka, pub, kinema, sallat e koncerteve apo teatrot.

Bankat, zyrat postare dhe bizneset e tjera kanë të drejtë që t’u kërkojnë njerëzve që të heqin maskën për arsye identifikimi.

“Ndërsa ne kalojmë në fazën tjetër të lehtësimit të kufizimeve për publikun, është e rëndësishme që të vazhdojmë të bëjmë blerje të sigurta, në mënyrë që të mund të shfrytëzojmë sa më shumë industrinë tonë fantastike të shitjes me pakicë këtë verë”, është shprehur sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock.

(Kosova Sot Online)