Mërgimtarët po vazhdojnë t’i paguajnë polisat kufitare

  • S.A /
  • 25 July 2020 - 08:39
Mërgimtarët po vazhdojnë t’i paguajnë polisat kufitare

Ku është Kosova me “Kartonin e Gjelbër” dhe çfarë ndodhi me vendimin e fundit të marrë nga ish Qeveria Kurti për të mbuluar shpenzimet e sigurimit kufitar?

Duket edhe kësaj vere, do të vazhdojë loja me mërgimtarët sa u përket pagesave për Kartonin e Gjelbër.

Është folur e përfolur shumë për heqjen e kësaj takse, apo edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrosë së Kartonit të Gjelbër. Por as njëra as tjetra nuk ndodhën deri më tash.

Përkundër faktit se çmimi i kësaj takse është përgjysmuar, ajo prapë konsiderohet si një lloj “vjelje” për të gjithë me vetura nga vendet e huaja, që hyjnë në Kosovë, e ku më të goditurit janë mërgimtarët kosovarë.

Pavarësisht ankesave apo debateve të shumta, pjesëmarrja masive e diasporës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, duket se ishte një presion shtesë për qeverinë në ardhje që më në fund të bëhet edhe diçka për mërgatën.

Vonesat në formimin e saj, si dhe jeta e shkurtër e Qeverisë Kurti, bënë që vetëm në mbledhjen e 3 qershorit 2020, që ishte edhe mbledhja e fundit e kësaj qeverie, të merret një vendim sa i përket çështjes së Kartonit të Gjelbër.

Qeveria Kurti u rrëzua, mbeti e paqartë puna e Kartonit të Gjelbër

Në atë mbledhje, qeveria ka miratuar vendimin për të marrë përsipër koston e shpenzimeve për “Kartonin e gjelbër” për vitin 2020; në bazë të vendimit, Ministria e Financave dhe Transfereve në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera relevante do të duhej të krijonte një mekanizëm për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar për vitin 2020.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), prej vitit 2010 e deri në 2019, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë mbledhur rreth 114 milionë e 517 mijë euro nga tarifat e sigurimit kufitar, kryesisht nga mërgimtarët. Mirëpo, shuma e dëmeve është shumë më e ulët. Vetëm 14 milionë e 744 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve për sigurimet kufitare nga kompanitë e sigurimeve. Diku në total rreth 1.5 -2 milionë euro mund të sillet kosto për dëmet vjetore, e që nuk do të ishte një barrë e madhe financiare për shtetin sidomos kur bën krahasimin me rolin e diasporës kosovare në ekonominë e vendore.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, tashmë ende nuk dihet saktë se çfarë do të bëhet me këtë vendim.

“Ky vendim është shumë i drejtë dhe është dashur të merret prej vitesh. Nëse Qeveria Hoti kthen mbrapa vendimin në fjalë, do të ishte një sinjal shumë i keq për diasporën tonë. Mirëpo deri më tani ende nuk kemi parë asnjë hapë në terren për implementimin e këtij vendimi”, deklaroi për Albinfo.ch, ish zv. Ministrja e MPJD, Liza Gashi, e cila është po ashtu një njohëse e mirë e çështjeve së diasporës.

(Kosova Sot Online )