Mjeku kosovar kanoset përmes facebook’ut për angazhimin e tij me pacientë të prekur nga COVID-19

  • 27 July 2020 - 14:04
Mjeku kosovar kanoset përmes facebook’ut për angazhimin e tij me pacientë të prekur nga COVID-19

Mjeku Flamur Marku është kanosur të dielën përmes një faqe në facebook e cila ka shpërndarë një informacion të rreme në lidhje me punën e tij dhe angazhimin e pulmologut Marku në ndihmë të pacienteve të prekur me COVID-19 që trajtohen në QKUK dhe në Spitalin e Gjakovës. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Vetëm pak ditë pasi u mirëprit angazhimi i tij vullnetar në Spitalin e Gjakovës, për të ndihmuar bashkëvendësit e tij në përballjen me pandeminë COVID-19, dikush e kanosi mjekun Flamur Marku përmes facebook-u.

E gjitha u bë përmes një postimi me informacion të rremë që u shpërnda nga një faqe në këtë rrjet social.

Madje, iu shpërndanë edhe fotografi pulmologut nga Gjakova, e që pasuan me komente nga më të ndryshmet, një pjesë e të cilave ishin edhe kërcënuese për mjekun që përveç punës së tij në QKUK, tash e disa javë angazhohet vullnetarisht edhe në Spitalin e Gjakovës.

Për këtë veprim, nga persona ende të panjohur, Marku të hënën ka hapur rast në Polici, tregoi vetë ai për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Paraprakisht, pulmologu kishte bërë reagim publik edhe në facebook’un e tij.

Tha se shkrimi që qarkulloi në rrjete sociale është plotësisht i pavërtetë, tendencioz dhe dashakeq, që ka për qellim dëmtimin e imazhit të tij.

“Nuk mundem ta kuptoj interesin e një mjeku që të manipulohet apo rritet numri i të vdekurve nga COVID-19. Gjithsesi gjeja e parë që do bëjë nesër është të paraqes rastin në organet kompetente, me qellim të demaskimit dhe denoncimit të atyre që qëndrojnë pas këtij postimi”, ka shkruar ai të dielën në mbrëmje.

E menjëherë pas paralajmërimit të tij për denoncim të rastit në Polici, postimi në faqen anonime të facebook’ut, ‘Alba Rina’, u fshi.

“Faleminderit të gjithëve juve për mbështetjen, dhe përkrahjen e së vërtetës. Motivi dhe qëllimi im është të ju ndihmoj të gjithëve që kanë nevojë me aq sa mundem, duke u shpëtuar jetën, e jo manipulim me të vdekurit”, shkruan mjeku Flamur Marku.

Ndryshe, postimi i faqes ‘Alba Rina’ pretendonte se Marku po manipulon në QKUK me shifrat e të vdekurve nga COVID-19.

Postimi përveç në shqip, ishte i shkruar edhe në gjuhen gjermane, me që faqja anonime duket se ka audiencë nga bashkatdhetarët në diasporë.

(Kosova Sot Online)