Një muaj paraburgim për gjilanasin që rrahu gruan

  • E.K /
  • 28 July 2020 - 14:21
Një muaj paraburgim për gjilanasin që rrahu gruan

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Sh.S, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 26.07.2020, nga ora 23:00, në shtëpinë e përbashkët, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja e tij H. S., ka kanosur me fjalë të ndryshme, gjithashtu ushtron edhe dhunë, ashtu që e kap për kyçi të dorës, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunë në familje” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale dhe për të parandaluar ndikimin tek e dëmtuara apo përsëritja e veprës penale”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)