Një bankë franceze raporton 1.26 miliard euro humbje nga pandemia

  • S.A /
  • 03 August 2020 - 12:46
Një bankë franceze raporton 1.26 miliard euro humbje nga pandemia

Njëra ndër bankat kryesore në Francë, Société Générale, tha të hënën se kriza e pandemisë ka sjellë humbje edhe në çerekun e dytë të vitit për më shumë se një miliard euro dhe e ka detyruar t’i rrisë dispozitat e humbjes në mënyrë të ndjeshme.

Kjo bankë shënoi humbje neto prej 1 miliard e 260 milionë eurosh për periudhën nga prilli në qershor, ndërsa kishte shënuar fitim prej mbi 1 miliard eurosh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në çerekun e parë të këtij viti, kjo bankë shënoi humbje prej 326 milionë eurosh.

“Ky çerek viti është ndikuar shumë nga kriza shëndetësore globale dhe pasojat e saj ekonomike”, thuhet në deklaratën e bankës, shkruan “The Guardian”Të ardhurat neto të bankës ranë për 13.5 për qind dhe nga rënia u ndikuan pothuajse të gjitha fushat e biznesit, me përjashtim të sektorit bankar privat, menaxhimit të aseteve dhe shërbimeve financiare dhe të këshillimit.

Duke e marrë parasysh gjendjen e paqartë, banka tha se i ka ndarë mënjanë 65 milionë euro për t’i mbuluar humbjet e pësuara gjatë tremujorit.

Ndonëse shumë banka kanë pësuar humbje të mëdha gjatë pandemisë, banka BNP Paribas arriti të shënojë fitim neto prej 2.3 miliardë eurosh gjatë tremujorit të dytë falë rritjes së aktivitetit bankar në investime.

(Kosova Sot Online )