Pritet të nisin punimet në ujësjellësin për fshatrat e Kamenicës, s’dihet kur përfundon projekti

  • A.P /
  • 04 August 2020 - 17:40
Pritet të nisin punimet në ujësjellësin për fshatrat e Kamenicës, s’dihet kur përfundon projekti

Tash e sa vite, banorët e gjashtë fshatrave të Kamenicës janë në pritje që të furnizohen me ujë në ujësjellës. Ndonëse ky projekt ka filluar para rreth pesë vitesh, punimet kanë ngecur shkaku i disa problemeve. Detaje rreth këtij projekti dhe rifillimit të punimeve kanë dhënë nga komuna.

Në Komunën që udhëhiqet nga Qëndron Kastrati thonë se punimet kanë ngecur për një periudhë shkaku i disa problemeve me vendosjen e kabllos nëntokësore nga KEDS’i.

“Punimet rreth ujësjellësit në fshatrat Muqivërc, Shipashnicë e Poshtme, Dajkoc, Roganë, Novoselle e Hodonoc, kanë ngecur një periudhë për shkak që janë paraqitur disa probleme me vendosjen e kabllos nëntokësore nga ana e KEDS-it. Pas takimeve të vazhdueshme me këtë të fundit, problemin e dislokimit të kabllos e kemi rregulluar me KEDS”, kanë deklaruar nga komuna.

Problem tjetër për vonesat në këtë projekt po del të ketë qenë edhe furnizimi me gypa të ujësjellësit.

“Pos kësaj, shkak tjetër i vonesave rreth këtij projekti është se CDI-ja zvicerane ka pasur probleme me furnizimin e gypave të ujësjellësit, sepse furnizimi i tyre bëhet nga Maqedonia e Veriut. Në anën tjetër Dogana e Kosovës u ka kërkuar pagesën e TVSH-së, por kompania në fjalë nuk ka pasur buxhet shtesë dhe rrjedhimisht është dashur të presim”, thuhet në përgjigje.

Por, ky problem duket se është rregulluar tashmë. Në komunë thonë se janë njoftuar se gypat kanë arritur në Kosovë dhe se punimet pritët të fillojnë gjatë kësaj jave.

E punimet për këtë projekt që është zvarritur tash e sa vite, pritet të fillojnë gjatë kësaj jave.

“Javën e kaluar, Drejtoria e Shërbimeve Publike është njoftuar nga CDI se është zgjedhur problemi i furnizimit me gypa dhe se ato kanë arritur ne Kosovë. Tani janë në fazën përgatitore me operatorin ekonomik që punët të nisin brenda kësaj jave”, kanë deklaruar nga komuna.

(Kosova Sot Online)