Fazat deri në konfirmimin e vaksinës anti-COVID, këto janë universitetet që po synojnë zbulimin

  • E.K /
  • 07 August 2020 - 15:17
Fazat deri në konfirmimin e vaksinës anti-COVID, këto janë universitetet që po synojnë zbulimin

Deri në zbulimin e vaksinës efikase për COVID-19, bota është e detyruar që të luftojë dhe parandalojë virusin përmes mbajtjes së distancës e higjienës dhe bartjes së maskës.

Por sa kohë i duhet zhvillimit të një vaksine deri në konfirmimin e saj dhe cilat universitete janë më afër zbulimit të vaksinës anti-COVID.

Në një shkrim të publikuar nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, shpjegohet se gjithsejtë një vaksinë duhet të kalojë në 5 periudha deri në konfirmimin e saj se është efikase për luftimin e një virusi.

Në fazën që cilësohet si paraklinike, vaksina testohet vetëm në kafshë për të parë nëse ajo nxit një reagim të imunitetit.

Në fazën e Parë të testimit klinik, vaksina i jepet vetëm një grupi të vogël njerëzish të zgjedhur, për të parë nëse vaksina është e sigurt dhe për të mësuar më shumë rreth provokimit të imunitetit që shkakton.

Në fazën e Dytë, vaksina u jepet qindra njerëzve, në mënyrë që shkencëtarët të zbulojnë në mënyrë më të saktë se sa e sigurt është ajo dhe se në çfarë doza duhet të jepet.

Në fazën e Tretë, vaksina u jepet mijëra njerëzve për të konfirmuar sigurinë, përfshirë edhe efektet e rralla anësore dhe efektshmërinë.

Ndërkohë faza e fundit është ajo kur vaksina miratohet dhe lejohet për përdorim të përgjithshëm.

Derisa virusi COVID-19 po vazhdon të përhapet, studiues nga e gjitha bota po garojnë për të zhvilluar vaksinën kundër COVID-19 me më shumë se 140 lloje vaksinash të cilat tashmë është duke i ndjekur nga afër Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Më afër zbulimit të vaksinës janë Universiteti i Oksfordit (AstraZeneca) dhe Universiteti i Melburnit, të cilët tashmë ndodhen në fazën e Dytë, ku vaksina është duke u testuar në disa qindra njerëz, për të parë se sa e sigurt është dhe se në çfarë doza duhet të jepet.

Ndërkohë kompania amerikane e bioteknologjisë “Modena NIAID”, është vetëm në fazën e Parë.

(Kosova Sot Online)