Deputetja e PDK-së kërkon nga institucionet që të gjejnë mënyrën për hapjen e shkollave

  • E.K /
  • 09 gusht 2020 - 15:55
Deputetja e PDK-së kërkon nga institucionet që të gjejnë mënyrën për hapjen e shkollave

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra është shprehur se institucionet përkatëse, por edhe të gjithë akterët kompetent; politik dhe publik, duhet të nxisin debatin për gjetjen e një mënyre për hapjen e shkollave.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra ka thënë se mësimi online ka qenë i kuptueshëm si një zgjidhje e imponuar për një periudhë të përkohshme, por nuk mund të pranohet si formë zëvendësuese për procesin e rregullt të mësimit me praninë fizike të nxënësve nëpër klasa.

“Duhet ta diskutojmë ndoshta përshtatjen e objekteve të caktuara në ambiente shkollore, në mënyrë që t’i përgjysmojmë klasët aktuale për të krijuar kushtet e distancës fizike. Paisja me dezinfektant e shkollave, vendosja e maskës dhe dorezave si dhe monitorimi në respektimin e këtyre masave mund dhe duhet të menaxhohet nga personeli i shkollës”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e PDK-së.

Postimi i plotë:

Institucionet përkatëse, por edhe të gjithë akterët kompetent; politik dhe publik, duhet të nxisim debatin thelbësor të gjetjes së një mënyre për të hapur shkollat e mësimit fillor nëpër objekte. Përpos nxënies së mësimit, jeta sociale e fëmijëve gjatë procesit të shkollimit është po aq esenciale në formimin edukativ të tyre.

Mësimi online ka qenë i kuptueshëm si një zgjidhje e imponuar për një periudhë të përkohshme, por nuk mund të pranohet si formë zëvendësuese për procesin e rregullt të mësimit me praninë fizike të nxënësve nëpër klasa.

Ambienti shkollor dhe diskutimi i përbashkët mbi njohurit e mësuara janë element thelbësor në krijimin e klimës edukative për fëmijët në fazat e hershme të shkollimit.

Ne kem ditur të organizojmë shkollat edhe në kushte gati të pamundura dhe nën kërcënim të vazhdueshëm, kurse sot duket se me lehtësi e injrorojmë këtë sfidë duke e lënë “zgjidhjen” në duart e teknologjisë.

Duhet ta diskutojmë ndoshta përshtatjen e objekteve të caktuara në ambiente shkollore, në mënyrë që t’i përgjysmojmë klasët aktuale për të krijuar kushtet e distancës fizike. Paisja me dezinfektant e shkollave, vendosja e maskës dhe dorezave si dhe monitorimi në respektimin e këtyre masave mund dhe duhet të menaxhohet nga personeli i shkollës.

Po ashtu mund të diskutohet edhe mësimi i kombinuar, me orë të shkurtuara në mjediset shkollore dhe plotësim të tyre nëpërmjet mësimit online.

Por, mos hapja totale e shkollave për nxënësit e shkollimit fillor do të ishte një gabim i pafalshëm e me pasoja afatgjata dhe të transemtueshme edhe tek gjeneratat e ardhshme.

(Kosova Sot Online)