Sekretari amerikan: S’është qëllimi kush i pari, por kush ka vaksinë të sigurt

  • E.K /
  • 11 August 2020 - 15:50
Sekretari amerikan: S’është qëllimi kush i pari, por kush ka vaksinë të sigurt

Sekretari për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore i Shteteve të Bashkuara, Alex Azar, ka reaguar pas njoftimit të Rusisë për miratimin  e një vaksine kundër koronavirusit.

“Qëllimi nuk është të jesh i pari me vaksinën. Qëllimi është të sigurohet një vaksinë që është e sigurt dhe efektive për popullin amerikan dhe popullsinë e botës”, tha Azar.

Sipas tij, për vaksinë duhet të ketë të dhëna transparente dhe se këto të dhëna duhet të jenë nga faza e tretë e testimit për të dëshmuar se vaksina është e sigurt dhe efektive.

Azar shtoi se beson që autoritetet janë në rrugë të mirë për të siguruar miliona doza të vaksinës deri në dhjetor dhe qindra miliona doza vitin e ardhshëm, shkruan CNN.

Ai njoftoi se dy nga gjashtë vaksinat që po testohen në Shtetet e Bashkuara ndodhen në fazën e tretë të testimit klinik dhe se miratimi i mundshëm i tyre do të varet nga shpejtësia me të cilën do të zhvillohet testimi.

(Kosova Sot Online)