Fjalët e para të Kamala Harris: Biden mund t’i unifikojë amerikanët

  • A.P /
  • 11 August 2020 - 23:29
Fjalët e para të Kamala Harris: Biden mund t’i unifikojë amerikanët

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka zgjedhur senatoren Kamala Harris si kandidate për nënpresidente në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Biden, që ka shërbyer si nënpresident gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, ishte zotuar se do të përzgjedhte një grua për pozitën e nën-presidentes.

 

Biden ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se lajmëron me nderin më të madh përzgjedhjen për pozitën e nën-presidentes.

Ai e ka cilësuar senatoren Harris si luftëtare të guximshme dhe një nga shërbyeset më të mira të SHBA-së.

Edhe vetë senatorja Harris ka thënë se është e nderuar që do të garojë bashkë me Bidenin.

“Joe Biden mund ta unifikojë popullin amerikan sepse ka kaluar jetën e tij duke luftuar për neve. Si president, ai do të ndërtojë që Amerikë që jetëson idealet tona. Unë jam e nderuar t’i bashkohem si kandidate për nënpresidente dhe do të bëj çmos për ta bërë atë komandantin tonë suprem”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ajo është gruaja e parë amerikane me ngjyrë që do garojë për këtë pozitë.

Harris, dikur rivale e Bidenit në garën për pozitën kryesore në Shtëpinë e Bardhë, është konsideruar për kohë të gjatë si politikane që do të mund të garonte me ish-nënpresidentin amerikan.

Ish-Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë ka bërë thirrje për reforma policore në kohën e protestave kundër-racizimit javë më parë në SHBA.

Biden ndërkohë do të përballet me presidentin aktual amerikan, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, do të vazhdojë të garojë me Trumpin për një mandat të dytë.

Harris, 55-vjeçare, që fillimisht është parë si figurë që rritej shpejt brenda Partisë Demokratike, pati hequr dorë nga gara për presidente në dhjetor të vitit të kaluar.

Kandidatja demokrate ka lindur në Kaliforni nga dy prindër imigrantë: nëna indiane dhe babai nga Xhamajka.

Ajo ka studiuar në Universitetin Howard, një prej institucioneve arsimore më të njohura të studentëve me ngjyrë.

Ajo e ka përshkruar kohën e kaluar atje si një prej përvojave më edukuese të jetës së saj.

Harris e përmend shpesh se asnjëherë nuk e ka pasur problem identitetin e saj dhe e përshkruan veten vetëm si “amerikane”.

Ajo pati thënë për Washington Post më 2019 se politikanët nuk duhet të kategorizohen në bazë të ngjyrës apo të kaluarës së tyre.

“Unë mendoj se: Jam kjo që jam. Jam në rregull me këtë gjë. Ndoshta juve ju duhet kohë, mirëpo unë jam në rregull”, pati deklaruar ajo.

Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton ka thënë se përzgjedhja e senatores Harris është historike.

“Ajo veçse e ka dëshmuar se është lidere dhe shërbyese e shkëlqyeshme. Unë e di se ajo do të jetë partnere e fortë e Joe Bidenit”, ka thënë Clinton përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

(Kosova Sot Online)