Kurtishi: Klinika e Onkologjisë nuk ka pacientë që janë të prekur me COVID-19

  • A.P /
  • 13 gusht 2020 - 21:06
Kurtishi: Klinika e Onkologjisë nuk ka pacientë që janë të prekur me COVID-19

Pacientët me sëmundje kancerogjene janë pjesë e grupit të personave më të rrezikuar nga COVID-19. Përkundër kësaj situate të gjithë pacientët e prekur me COVID-19 që kanë vazhduar trajtimin në Klinikën e Onkologjisë e kanë tejkaluar sëmundjen.

“Për momentin në Klinikën e Onkologjisë nuk kemi pacientë të shtrirë që janë të prekur me COVID-19 por kemi pacientë ambulatorë që kanë marrë kimioterapi. Për fat të mirë asnjëri nga ta nuk ka pësuar dhe të gjithë e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19”, deklaroi ai.

Drejtori i Onkologjisë thotë se për dallim nga vitet tjera, sivjet janë regjistruar më pak persona të prekur sëmundjet kancerogjene.

“Deri në muajin korrik, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi për 10-15 për qind më pak pacientë të prekur nga kanceri. Këtë vit me sëmundje kancerogjene janë regjistruar 800 pacientë të ri, ndërsa vitin e kaluar deri në këtë periudhë ishin regjistruar 950 pacientë”.

Kurtishi thotë se megjithatë në këto shifra tregojnë se disa shërbime janë vonuar apo  shtyrë.

Sa i përket stafit të prekur me COVID-19, Kurtishi thotë se nga gjithë punëtorët përfshirë edhe ata ndihmës janë infektuar 11 punëtorë por që të gjithë janë kthyer tashmë në punë pas rehabilitimit.

(Kosova Sot Online)