Selimi ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e lartë Bruc Ohr

  • A.P /
  • 18 August 2020 - 19:20
Selimi ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e lartë Bruc Ohr

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gjatë ditës, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e lartë nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIA) të Departamentit të Drejtësisë, Bruc Ohr.

Lajmin e ka bërë të ditur MD, nëpërmjet një komunikate.

“ShBA është aleat i përjetshëm dhe partneri më kredibil i Kosovës, andaj jemi të bekuar që si popull e shtet i kemi përqafuar idealet amerikane të lirisë dhe drejtësisë”, citohet të ketë thënë Selimi gjatë takimit.

Në këtë takim, ministri Selimi e ka informuar z. Ohr rreth çështjeve prioritare të sistemit të drejtësisë, me të arriturat në sundimin e ligjit në Kosovë, mekanizmat që ka krijuar vendi ynë në luftimin e krimit të organizuar dhe atij transnacional, si dhe për avancimin e mëtejmë të një sistemi kredibil e efikas të drejtësisë, bën të ditur njoftimi.

Në kuadër të takimit, ministri Selimi dhe z. Ohr kanë biseduar edhe për marrëveshjen e ekstradimit, në veçanti për rastet konkrete të personave të kërkuar nga ShBA, si dhe për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të Prokurorisë dhe Gjyqësorit përmes marrjes së ekspertizës së drejtpërdrejtë në ndjekje dhe gjykim të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, thuhet më tej në njoftim.

Në anën tjetër z. Ohr duke vlerësuar Kosovën për të arriturat e saj, e siguroi ministrin Selimi për mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për avancimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, njofton MD.

Ohr ritheksoi se ShBA-ja është dhe do të mbetet partnere dhe përkrahëse e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë, përfundon komunikata.

(Kosova Sot Online)